Akuza për stafet mjekësore: “Superiorja e çuditshme, disa klube më keq se në Brazil 3”

Sulmuesi i Flamurtarit, Danilo Alvesh, ka dhënë një intervistë për “esportes.yahoo.com”, ku ka folur për jetën e tij në Shqipëri dhe mbi diferencat e futbollit shqiptar me atë brazilian. Në intervistë, braziliani vlerëson rritjen që ka pësuar klubi i Flamurtarit gjatë viteve të fundit, por ai nuk heziton të flasë hapur mbi gjendjen e stafeve mjekësore të klubeve shqiptare, të cilat ai i krahason me ato të klubeve në kategorinë e tretë braziliane.

PAGESAT – “Gjithçka kam në Brazil është në sajë të asaj që kam fituar në Shqipëri. Në Brazil ishte e vështirë. Kam luajtur në shumë skuadra dhe nuk jam paguar. Te skuadra e Avait, presidenti u sëmur dhe vdiq, ndërsa unë nuk u pagova për 9 muaj”.

Më pas Alvesh tregon dhe arsyet se pse ai vendosi që të kthehej te Flamurtari, pas aventurës në Turqi, që nuk zgjati më shumë se një muaj. Kujtojmë që Danilo Alvesh kaloi gjatë verës te ekipi i Afyonsporit.

“Kam tre vite që jetoj në Shqipëri dhe u ngacmova nga ideja për të provuar një eksperiencë të re, kështu që shkova në Turqi. Gjërat nuk shkuan siç i mendoja, pasi ika në një vend të mbyllur, klubi kishte shumë probleme, pasi mua më duhej një shtëpi ku të jetoja, ndërsa familja ishte e detyruar që të jetonte në një hotel, madje edhe djali im u sëmur, kështu që mendova se ishte më mirë për mua që të kthehem në shtëpi”.

KOMUNIKIMI – Për të anashkaluar problemet me gjuhën, Alvesh iu desh të mësonte pak nga gjuha italiane që në Vlorë flitet nga një pjesë e madhe e personave, por me brezin e vjetër, braziliani thotë se komunikimi është i pamundur, pasi ata nuk zotërojnë gjuhë të huaj. Ndërkohë, sulmuesi i thotë gazetarit që i ka ndodhur të takojë edhe folës të gjuhës portugeze. “Këtu në Shqipëri transmetohen shumë telenovela braziliane dhe prandaj nuk është e çuditshme të takosh ndonjë njeri që di të flasë portugalisht”.

PROBLEMETIKAT E STAFIT MJEKËSOR – Pavarësisht fjalëve të mira për rritjen që ka pësuar futbolli shqiptar gjatë viteve të fundit, Danilo flet edhe mbi aspektet ku futbolli ka shumë për të përmirësuar, sidomos në aspektin e mjekëve dhe fizioterapistëve. “Disa trajnerë këtu bëjnë sikur dinë gjithçka. Për shembull, nëse një lojtar ndjen dhimbje në gju, ata vijnë e shikojnë dhe të thonë menjëherë se cili është problemi. Është diçka e çuditshme. Në fillim më frikësoi kjo gjë.  Në këtë aspekt, strukturat e klubeve duhet të përmirësohen, ka skuadra në kategorinë e tretë braziliane që kanë departament mjekësore më të mirë se sa këtu”.

E ARDHMJA E FLAMURTARIT DHE PRESIDENTI IDRIZI – “Klubi po rritet, kemi një fushë stërvitje me bar, që këtu është diçka e rrallë, pasi zakonisht këtu klubet stërviten në fusha me bar sintetik”, thotë Danilo, i cili më pas flet edhe mbi bizneset e presidentit Sinan Idrizi: “Presidenti ka një kompani ajrore dhe do të ndërtojë një aeroport në Vlorë dhe një pjesë e të ardhurave nga ky aeroport do të shkojnë për klubin. Ndoshta, aeroporti do të fillojë punimet gjatë vitit të ardhshëm”.

KOSTO E JETESËS – “Këtu jetesa është shumë e lirë. Me 200 euro mund të marrësh me qira një apartament buzë detit. Vlora është një qytet turistik që ka ndryshuar shumë gjatë viteve të fundit. Kur unë erdha në fillim, bregdeti ishte i mbushur me shkurre, ishte një pamje e zymtë. Tani kanë ndërtuar trotuare dhe parqe dhe këtë vit të kishte shumë vizitorë në qytet për të shijuar detin kristal të pastër”, përfundoi braziliani.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *