Luftëtari do të luajë të dielën një transfertë të vështirë ndaj Tiranës në Selman Stërmasi. Trajneri i gjirokastritëve, Julian Ahmataj, vlerëson kundërshtarin dhe ka një mesazh për lojtarët e tij, të cilët ai thotë se do të kenë të gjithë shanse për të treguar veten.
TIRANA – “Tirana është një skuadër shumë e fortë. Është e organizuar mirë dhe mund të mposhtë cilëndo skuadër. Në të ardhmen synon të fitojë dhe titullin kampion dhe ka shumë lojtarë cilësorë në përbërje”.
REZULTATI – “Ne kemi në dorë që t’i bëjmë më mirë gjërat, të përmirësohemi nga dita në ditë. Rezultati i mbetet fushës dhe do fitojë skuadra që shprehet më mirë në fushën e lojës”.
GJENDJA E SKUADRËS – “Nëse në ditën e ndeshjes nuk je me impenjim dhe vëmendje maksimale, çdo gjë shumohet dhe të kalon në disavantazh. Ky nivel që të futbollisti të jetë në gjendje optimale duhet të jetë prezent, sidomos përballë Tiranës”.
DËMTIMET – “Në vazhdimësi të stërvitjeve, nuk kemi asnjë të dëmtuar. Vlerësojmë kontributin e çdo lojtari. Do t’iu japim shanse shumë lojtarëve, që të më tregojnë ato që kanë treguar gjatë gjithë javëve në stërvitje”, përfundoi Ahmataj.