Luftëtari do kërkojë të mos dalë pa pikë nga Durrësi me Teutën. Nuk do të jetë aspak e lehtë, duke pasur parasysh që lojtarë si Behar Ramadani, Rustem Hoxha dhe Oltion Rapa nuk do të jenë nën urdhrat e stafit teknik në këtë përballje.
Trajneri Julian Ahmataj ka dalë sot para mediave dhe ka folur. Fillimisht për kundërshtarin e radhës dhe objektivat: “Është një klub që u jep besim njerëzve, punohet seriozisht. Atje janë seriozë dhe duan punë e ide të reja. Ndeshja është shumë e vështirë. Do jetë e luftuar për vetë objektivat. Do mundohemi të marrim maksimumin e të dalim me kokën lart”.
Tekniku elbasanas ka komentuar edhe mungesën e titullarëve, por nuk qahet. Ai u beson shumë të rinjve që do të aktivizohen: “Kemi shumë mungesa, sidomos të boshtit të skuadrës. Këto ndikojnë në mbarëvajtje, por kam besim te lojtarët që do luajnë. Edhe ata stërviten me skuadrën, edhe pse janë të rinj. U ka ardhur momenti të bëjnë më të mirën për veten e tyre dhe për skuadrën”.