Agolli titullar, Demiri “e bën lëmsh” në Ukrainë

Karabaku i Ansi Agollit, edhe pse luante në shtëpi, nuk ka mundur të fitojë kundër Neftçi Baku. Miqtë madje arritën të shënonin të parët dhe e mbyllën 45-minutëshin e parë në avantazh. Gjithsesi Karabaku u kundërpërgjigj me anë të Emegarës dhe shmangu humbjen. Gjithçka u mbyll në barazim 1-1.
Ansi Agolli ishte titullar në këtë takim, duke treguar që është gati për kombëtaren në ndeshjet që kuqezinjtë zhvillojnë kundër Izraelit dhe Skocisë. Por nëse kapiteni ka dhënë sinjale të mira, duket se ka probleme për Besir Demirin.

Ish-mbrojtësi i Maqedonisë, që pritet të veshë fanellën e kombëtares, është zëvendësuar që në minutën e 40-të në ndeshjen që Mariupol ka barazuar 2-2 në shtëpi me Lviv. Mbrojtësi i majtë ishte titullar dhe në minutën e gjashtë shkaktoi penallti, por që fatmirësisht nuk u kthye në gol nga miqtë. Gjithsesi Demiri doli nga loja në minutën e 40-të. Forma e dobët, apo ndonjë dëmtim, mbetet për t’u mësuar.
Në Kroaci nga minuta e parë me Inter Zapreshicc ishte mbrojtësi Herdi Prenga. Kundër Hajdukut të Splitit skuadra e mbrojtësit shqiptar kaloi dy herë në avantazh, por në fund ndeshja u mbyll 2-2 dhe Prenga mori një të verdhë në të 74’.

Fiorin Durmishaj gjithashtu nuk ka triumfuar sot. Sulmuesi i Panionios luajti 90 minuta me skuadrën e tij kundër OFI Kretë, por nuk mundi të shënojë dot. Durmishaj u zverdh në shtesën e pjesës së parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *