Diego Simeone është ëndrra e Interit për stolin, ndërsa trajneri argjentinas e ka shprehur gjithmonë që do të drejtojë zikaltrit një ditë. Diçka të tillë e konfirmon dhe Natalia Simeone, motra dhe menaxherja e trajnerit.
Në një prononcim për “Gazzetta dello Sport”, Natalia flet për lidhjen me Diegon, Atletikon e Madridit dhe Interin.
“Kam një raport të veçantë me Diegon. Jemi tre fëmijë, Diego është më i madhi, pastaj unë dhe Karla, motra e vogël. Luanim futboll bashkë të vegjël dhe Diego nuk humbiste kurrë. Vëllai im ka shumë respekt për profesionin tim dhe më beson shumë. Ka shtatë vite që ai punon te Atletiko dhe pasioni fiton gjithmonë në fund. Ai është një nga trajnerët më të mirë në botë, por qëndron aty ku beson se mund të arrijë akoma dhe më shumë. Unë e shoqëroj gjithmonë, nëse largohet, unë e ndjek pas.
Inter? Do të ndodhë herët, ose vonë dhe diçka të tillë e ka thënë dhe Diego. Besoj se është një çështje kohe, sepse i pëlqen shumë roli, ambienti dhe të jetojë në Milano. Inter është një skuadër që do i pëlqente shumë ta trajnonte. Por, ai ka mbetur shumë i lidhur dhe me Lacion”, përfundon menaxherja e Simeones.
Klubi i Interit po punon dhe për përforcimin e skuadrës dhe tre janë objektivat e zikaltërve siç citon “Corriere dello Sport”. Lukas Tusart i Lionit, Çesk Fabregas i Çelsit dhe Denis Praet i Sampdorias.
21-vjeçari i Lionit pëlqehet shumë dhe po ndiqet prej kohësh nga drejtuesit e Interit, por problem mbetet shuma e lartë që kërkon Lioni për të. Fabregasit i skadon kontrata në verë me Çelsin dhe konkurrenca për të do të jetë e fortë, por Inter shpreson ta bindë mesfushorin spanjoll. Në fund dhe organizatori belg i Sampdorias. Praet po bën mirë në klubin xhenovez dhe 24-vjeçari pëlqehet nga drejtuesit e Inter.