Elseid Hysaj nuk po kalon një moment të mirë tek Napoli. Nën drejtimin e Ançelotit, shqiptari po aktivizohet shumë pak, krahasuar me kohën kur ishte Sarri në pankinën e italianëve. Thashethemet për një largim të mundshëm të mbrojtësit nga Napoli po shtohen çdo ditë e më shumë.
Agjenti i shkodranit, Mario Xhufredi, u intervistua nga mediat italiane, ku foli për situatën e lojtarit: “Duhet kohë që të plotësohen kërkesat e trajnerit të ri. Për rinovimin do të flasim pas merkatos së janarit. Hysaj ka një klauzolë 50 milionë euro, por në verë mund të shkojë tek Çelsi për 40-45 milionë. Tratativa nuk është e thjeshtë, sepse ekziston një klauzolë që ndalon Çelsin të blejë lojtarë të tjerë nga Napoli, përveç Zhorzhinjos.”
Kështu, agjenti i mbrojtësit shqiptar tregon detajet që e bëjnë këtë tratativë të vështirë. Merkato e verës është shumë larg dhe nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë deri atëherë.