Interi nuk po arrin t’i dhurojë një sulmues të madh Antonio Kontes. Klubi zikaltër negocioi gjatë me Romelu Lukakun dhe Mançester Junajtid, por belgu është pranë transferimit tek ekipi i Juventusit.
Plani B quhet Edison Kavani. Drejtuesit e Interit kanë nisur kontaktet me agjentin e sulmuesit të PSG-së, por janë befasuar sërish. 32-vjeçari dëshiron të qëndrojë në Paris dhe i ka kthyer klubit italian përgjigje negative.
Bomberi uruguaian ka edhe një vit kontratë me kampionët e Francës dhe verën e ardhshme del një lojtar i lirë. Diçka e tillë do i lejojë të zgjedhë lirshëm skuadrën e ardhshme dhe ky është qëllim kryesor i “El Matador”.
Kontes i duhet të presë akoma, ndërsa Marota me Auzilion duhet të gjejnë një tjetër sulmues. Mbi të gjitha të arrijnë akordin dhe ta transferojnë atë në Milanon zikaltër.