Boka Zhuniors arriti të transferojë Daniele De Rosin në Buenos Aires, duke rritur entuziazmin e tifozërisë së zjarrtë të saj. Por jo vetëm ish-kapiteni i Romës. Ëndrra e madhe quhet Mauro Ikardi dhe drejtuesit do provojnë “të pamundurën”.
Dëshira e madhe e sulmuesit të Interit është kalimi te Juventusi, por këta të fundit kanë si objektiv Romelu Lukakun.
Opsioni i vetëm për momentin për ish-kapitenin zikaltër mbetet Roma dhe Ikardi mund të përfshihet në një operacion të madh që do të sillte edhe transferimin e Edin Xhekos në Milano.
Rikthehemi te Boka. Presidenti ka konfirmuar interesimin për argjentinasin, edhe pse një lëvizje e tillë është tepër e vështirë dhe e komplikuar.
“Di që Burdiso (drejtori sportiv) ka folur me Zanetin për të mësuar situatën. Ja vlen të pyesim e të interesohemi, pasi nuk kemi asgjë për të humbur”, thekson për Radio Cooperativa Daniel Angeliçi, kreu i klubit të famshëm.