Mançester Junajtid po ushtron të gjithë fuqinë financiare për të kompletuar një repart “të plagosur” si mbrojtja. Në vend të parë qëndron Herri Meguajer, por në listën e Solskjaer ekziston edhe Samuel Umtiti. Francezi nuk e ka shumë të sigurt qëndrimin në Barcelonë.
Sezonin e kaluar ai vuajti konkurrencën e fortë të bashkëkombasit të tij, Lengle. Ky fakt e dëmtoi jo pak atë në formën e tij. Junajtid prej kohësh ka treguar interes. Barça nuk e ka nxjerrë në shitje, por nëse vjen një ofertë mbi 60 milionë euro mund të ndryshojë mendjen e Bartomeut.
Junajtid ofron 50 milionë euro, por pritet të ngrejë ofertën. Megjithatë, Barça duhet t’i paraprijë ikjes së tij. Ikja e Umtiti varet nga ardhja e Alaba. Ylli austriak as nuk e ka pohuar dhe as nuk e ka mohuar kalimin te katalanasit. Një klub si Barça ja ndërron mendjen çdokujt, edhe nëse luan në Bavari.