Kategoria Superiore mbetet një destinacion shumë i preferuar nga lojtarët e huaj, të cilët i kemi me shumicë. Drejtuesit e klubeve shqiptare vazhdojnë të investojnë te futbollistët e huaj, duke iu ofruar kontrata të pasura dhe duke iu siguruar minuta të shumta në formacion.
Shumë pak skuadra në Superligë i besojnë produktit vendas dhe i japin mundësinë talenteve kuqezi që të aktivizohen në Superiore. Flamurtari po kalon një moment shumë të vështirë dhe ndoshta e shohin si detyrim të mos shpenzojnë, duke iu besuar produkteve të U-17 dhe U-19. Skuadra vlonjate është e vetmja që nuk ka asnjë të huaj në përbërje.
Edhe Vllaznia i ka besuar shumë futbollistëve shqiptarë, pasi ka vetëm një të huaj në ekip. Bëhet fjalë për lojtarin e transferuar sot, maqedonasin Gligorov. Luftëtari ka tre të huaj, ndërsa Laçi 5 të tillë.
Te Tirana kanë kontratë 6 futbollistë të huaj, ndërsa Bylisi, Skënderbeu dhe Kukësi kanë nga 8 futbollistë në ekip. Në krye, është Partizani, me plot 12 futbollistë që vijnë nga jashtë Shqipërisë.