Mesfushori ganez, Kevin Prins Boateng, është shumë pranë rikthimit në Bundeligë, aty ku shkëlqeu me skuadrën e Shalkes dhe ishte një nga mesfushorët më të mirë në botë. Kartoni i 31-vjeçarit është në pronësi të Sasuolos, por klubi italian kërkon ta shesë “Princin”, pasi rroga e këtij të fundit është shumë e majme krahasuar me minutat që ai është në fushën e lojës.
Ganezi është në përfundim të karrierës, por kjo gjë nuk e ka penguar aspak klubin e Ajntraht Frankfurtit që të hapë bisedimet dhe t’i bëjë një ofertë konkrete ekipit të Sasuolos. Tashmë topi ka kaluar në fushën e ekipit italian, që duhet të marrë një vendim.
Vetë Boateng është “pro” një kalimi në Bundesligë, pasi aventura e tij në Itali, por dhe në Spanjë me Barcelonën (huazim 6 muaj), ishte për t’u harruar. Vitet e tij më të mira si futbollist, Boateng i ka kaluar me Milanin në Serie A disa sezone më parë, duke qenë një nga futbollistët më të dashur për tifozët kuqezi të “Djallit”.