Arsenal-Totenhem është një ndër derbet më të zjarrta të Londrës. Tifozeritë urrehen me njëra-tjetrën dhe rivaliteti në fushën e blertë është i madh. Sezoni i ri nuk ka nisur ende, por dueli në merkato midis këtyre dy klubeve është shumë i fortë.
Dy janë objektivat e përbashkët dhe në të dy rastet po triumfon Arsenali. Të paktën për momentin. Dani Sebajos është i preferuari i madh. Arsenali e kërkon në huazim, ndërsa Spurs janë gati t’i blejnë kartonin.
Real Madrid preferonte versionin e dytë deri para pak ditësh, por paraqitjet pozitive të mesfushorit ofensiv në Europianin U21 kanë stopuar spanjollët. 22-vjeçari ka potencial dhe mund të shërbejë për të ardhmen.
Sebajos preferon Arsenalin për dy arsye. E para ka të bëjë me faktin që Unai Emeri i premton një vend titullari, ndërsa te Totenhemi do luftojë fort për ta fituar. E dyta ka të bëjë me dëshirën e madhe. Një sezon pozitiv me “topçinjtë” e rikthen në Madrid. Sebajos beson fort se do vijë momenti kur do të rikthehet titullar i Realit.
Sky Sport News raporton se akordi final është drejt konkretizimit. Ka mbetur për t’u dhënë vetëm miratimi i Zinedin Zidan që Sebajos të transferohet tek Arsenali. Aty ku mund të mbërrijë edhe Uilliam Saliba.
I lindur në Francë dhe me origjinë nga Kameruni, vetëm 18 vjeç, aktivizohet si qendërmbrojtës dhe sezonin e kaluar është aktivizuar në 19 ndeshje me St Etienin. Saliba ishte pranë kalimit te Totenhemi, por oferta prej 27 milionë sterlinash e Arsenalit ka bindur lojtarin dhe klubin francez.
Sërish diferencën po e bën dëshira e lojtarit. Si Sebajos dhe Saliba preferojnë kalimin tek ekipi i Unai Emeri përpara transferimit te finalistët e Champions Ligës.