Ish-sulmuesi i Llapit, Festim Alidema, është prezantuar si lojtari më i ri i skuadrës së Slaven Belupos. Futbollisti nga Pozherani i bashkohet ekipit të ligës së parë kroate pas dy sezonesh në IPKO Superliga me skuadrën nga qyteti i Podujevës.
Menaxheri i cili ndërmjetësoi transferimin e 21-vjeçarit është ish-lojtari i kombëtares shqiptare Ardian Aliaj. Alidema i shtohet listës së shumë shqiptarëve nga Kosova të cilët vitet e fundit janë transferuar në kampionatin Kroat.
21-vjeçari aktivizohet si sulmues krahu dhe njihet për aftësitë në driblim dhe goditjen e saktë me të dyja këmbët. Krahas Alidemës në Kroaci ndodhen dhe tre talente të tjerë nga Kosova si Mirlind Daku i Osijek, Lumbardh Dellova i Hajduk Split dhe Lirim Kastrati i Lokomotivës së Zagrebit.