Aron Ramsej vendosi t’i jepte fund aventurës me Arsenalin. Mesfushori nuk rinovoi me “topçinjtë” dhe u transferua te Juventusi me parametra zero. 28-vjeçari ka dalë për herë të parë sot përpara mediave italiane, duke dhënë përshtypjet e para për eksperiencën e re që pritet të nisë.
Kalimin te kampionët e Italisë e sheh si një ëndërr te realizuar dhe një sfidë të madhe. Mauricio Sarrin e njeh dhe është gati të japë maksimumin në çdo pozicion që trajneri do ta vendosë.
Uellsiani është i karikuar në maksimum dhe ndodhet në fazën e fundit të rikuperimit. Dëmtimi i pësuar po lihet pas krahëve dhe Ramsej shpreson që t’i bashkohet Juves sa më shpejt të jetë e mundur.
JUVENTUSI – “Jam shumë i lumtur që ndodhem te Juventusi. Po punoj fort për t’u bashkuar me ekipin sa më shpejt. Rikuperimi po shkon mirë dhe po kthehem në formë. Kur dëgjova për interesimin e Juves, mendova se do të ishte një ëndërr, përveçse një sfidë e madhe.”
SARRI – “Jam mirëpritur nga të gjithë. Kam biseduar disa herë me Sarrin dhe po pres me padurim të ndihmoj atë dhe skuadrën për të realizuar objektivat e vendosura nga klubi. Ai është shumë i thjeshtë në komunikim dhe kjo është diçka shumë e bukur. Akoma nuk është marrë një vendim për prezencën time në Turin e Azisë.”
STILI – “Më pëlqen të kem impakt në lojën e skuadrës, të shënoj dhe të dhuroj asiste. Mund të mbroj dhe të shtyj përpara. Bashkë me trajnerin do e kuptojmë se ku mund të jem më i dobishëm për Juventusin. Sarri bëri shumë mirë në Angli dhe besoj se mund të bëjë të njëjtën gjë këtu, duke kërkuar fitoren dhe lojën e bukur.”
NUMRI – “Doja të merrja numrin tetë. E mora menjëherë sapo mora vesh që ishte i lirë. E di që e ka patur më parë një kampion si Markizio. Do të jem krenar nëse arrij të bëj ato që ka bërë ai këtu. Jam gati për këtë sfidë të madhe.”