Xhordan Veretu është objektivi i Milanit për mesin e fushës. Francezi i Fiorentinës pëlqehet shumë nga trajneri Xhampaolo, ndërsa drejtuesit e “djallit” po tentojnë marrëveshjen finale.
Mesfushori nuk është grumbulluar nga Vinçenzo Montela për fazën përgatitore që do të zhvillojë klubi nga Firence në Amerikë. Veprim që konfirmon largimin e Veretu, por Fiorentina kërkon 25 milionë euro.
Gjatë ditës së sotme do të ketë një takim midis zyrtarëve të Fiorentinës dhe Milanit. Oferta e kuqezinjve shkon deri në 20 milionë euro, 18 në dorë dhe 2 në formë bonusesh. Kuqezinjtë e dinë mirë se homologët vjollcë do të takohen edhe me drejtuesit e Romës, klubi tjetër që interesohet për shërbimet e 26-vjeçarit.
Diferenca mes kërkesës dhe ofertës është vetëm 5 milionë euro dhe Milani nuk dëshiron ta humbasë këtë mundësi. Maldini dëshiron që të arrijë akordin dhe ky takim do të jetë deçiziv për të ardhmen e Xhordan Veretu.