Interi po tenton të shesë disa lojtarë. Kontingjenti i madh i lojtarëve duhet reduktuar, por duhen mbushur edhe arkat për të nisur më pas ofensivën kundrejt objektivave kryesorë të Antonio Kontes.
Një prej lojtarëve që pritet të largohet është Zhoao Mario. Për mesfushorin portugez ka interesim nga Franca. Monako e kërkon dhe është gati të paguajë 15 milionë euro për kartonin e 26-vjeçarit.
Një shumë e vogël që nuk kënaq zikaltrit, të cilët kërkojnë 25 milionë euro. Klubi nga Principata është i prerë dhe nuk ofron asnjë cent më shumë. Zhoao Mario nuk arriti kurrë të justifikonte investimin e Interit, që pagoi 40 milionë euro në arkat e Sporting Lisbonës në vitin 2016. E ardhmja e tij mund të jetë kampionati francez, gjithmonë nëse Interi pranon ofertën e Monakos.