Bajerni i Mynihut largoi jo pak lojtarë gjatë muajve të fundit. Përveç emrave të mëdhenj, Roben, Riberi e Hamez Rodrigez nga kampionët e Gjermanisë u larguan mbrojtësit Humels e Rafinja si dhe sulmuesi Sandro Vagner, i cili firmosi në Kinë gjatë muajit janar.
Pavarësisht se drejtuesit e bavarezëve kanë kryer disa blerje numri i lojtarëve në dispozicion të Niko Kovaç është më i vogli ndër ekipet e Bundesligës gjermane, por edhe në rangun e Champions League.
Ekipi i parë i Bajernit përbehet nga vetëm 17 lojtarë + 4 portierë. Një studim i kryer ka zbuluar se bavarezët kanë një numër shumë të vogël futbollistësh në krahasim me rivalët Europianë.
Inter, Mançester Siti dhe Real Madrid kanë nga 29 lojtarë (pa përfshirë portierët) në ekipin e parë, ndërsa bashkëkombësit e Dortmundit kanë thuajse dyfishin me 32 lojtarë. Siç duket te Bajerni janë të sigurt se dëmtimet do të jenë të pakta dhe fakti që në skuadër ka shumë lojtarë polivalent si Kimish, Havi Martinez, Lukas Hernandez, Pavard dhe Alaba bën që Kovaç të mos shqetësohet nga ky fakt.