Milani dhe UEFA kanë rënë dakord që kuqezinjtë të përjashtohen nga kupat e Europës këtë sezon, ndërkohë që kuqezinjtë kanë kërkuar t’u jepet afat deri në vitin 2022 që të rregullojnë bilancet sipas rregullave të FFP. Dënimi i dhënë është pranuar, ndërkohë që e gjithë kjo situatë vjen si pasojë e gabimeve të së shkuarës.
“Aksionerët aktualë e morën klubin në korrik të vitit 2018, duke trashëguar humbje të mëdha dhe të akumuluara, pasi pronarët e mëparshëm kishin dështuar t’i shlyenin. Këto humbje dhe shkeljet e bëra në rregullat e FFP, kanë sjellë këto sanksione që i atribuohen pronarëve të mëparshëm.
Pavarësisht nga hidhërimi i thellë i tifozëve, që nuk do të kenë mundësinë të shohin ekipin në Europa League, ne i njohim rregullat e Fair-Play Financiar. Ne pranojmë se nuk ka rrugë tjetër, veçse të pranojmë sanksionet dhe të ndërmarrim një rrugë për ta kthyer klubin në pajtim të plotë me rregullat e UEFA-s
AC Milan konfirmon angazhimin maksimal për të sjellë klubin aty ku meriton të jetë, në krye të futbollit europian. Sanksionet e sotme do të përbëjnë një nxitje për të maksimizuar përpjekjet për të futur klubin në rrugën e duhur, që përcaktohet nga parametrat e FFP, dhe në të njëjtën kohë për të ndërtuar një klub konkurrues, që risjell Milanin në një skenar të qëndrueshëm dhe drejt një të ardhme pozitive”, sqaron Milani situatën e krijuar përmes një komunikate zyrtare.