Janis Antetokounpo u shpall lojtari më i mirë në NBA këtë sezon, me basketbollistin grek që i mahniti të gjithë me paraqtijet e tij. 24-vjeçari u vlerësua me çmimin më të lartë individual në basketbollin amerikan dhe për momentin, është në majë.
Janis është 2.11m i gjatë dhe plot 110 kg, një atlet i përkryer për të luajtur lojën më të ndjekur në Amerikë. Janis ka lindur në Greqi, me 6 dhjetor 1994. Familja e tij, nigeriane, ishte refugjate në tokën helene. Janis qëndroi 18 vite në Greqi, për t’u transferuar më pas në Amerikë dhe për të ndjekur ëndrrën e tij. Shtypi amerikan e cilëson prej disa vitesh si një pasues të denjë të Lebron James, është vetëm 24 vjeç dhe e ardhmja duket se do të flasë vetëm për të.
Në sezonin 2013/14, basketbollisti i talentuar iu bashkua skuadrës amerikane, Milwaukee Bucks dhe që nga ai sezon, ka qenë një ndër lojtarët më të mirë në NBA. Shumë tifozë i kanë vënë nofkën “Vrasësi i Heshtur”, pasi Janis asnjëherë nuk është ekspozuar para mediave. Por vitet e fundit, nuk ka mundur t’i shpëtojë vëmendjes së madhe, pasi loja e tij në parket ka qenë për t’u admiruar.
Këtë sezon, “Greek Freak” luajti 72 ndeshje, një mesatare pikësh 27.7 për ndeshje, 12.5 topa në tabelë dhe 5.9 asiste. Këto statistika bënë që të vlerësohet me çmimin MVP (lojtari më i vlefshëm) dhe shumë skuadra të njohura te NBA janë vënë pas tij.