Ulja e Mauricio Sarrit në stolin e Juventusit të urryer mund të mos jetë zhgënjimi i vetëm i tifozëve napolitanë. Surpriza e hidhur mund të vijë nga Marek Hamshik.
Ish-kapiteni, i cili kaloi 12 vite fantastike në Napoli, u largua në janar drejt Kinës me një rrogë prej 9 milionë eurosh në sezon. Aventura me Dalian Jifang nuk ka shkuar ashtu siç pritet dhe 31-vjeçari ka shënuar vetëm një gol në 11 ndeshje.
Rikthimi në Itali e tundon dhe në skenë ka dalë klubi i Romës. Verdhekuqtë e duan Hamshik dhe janë gati t’i dhurojnë kinezëve Havier Pastoren. Një shkëmbim kokë me kokë, ndërsa drejtuesit e Dalian duhet të mbulojnë një pjesë të rrogës së sllovakut.
Negociatat kanë nisur dhe pritet përgjigja e klubit kinez. Nëse Dalian pranon këtë shkëmbim, ky do të ishte një lajm shumë i bukur për tifozët e Romës, por aspak për ata napolitanë.