Kukësi do të përballet në raundin e parë eliminator të Europa League me Debrecenin. Klubi hungarez nuk është një emër i panjohur për ekipet shqiptare. Shtatë vite më parë ata eliminuan Skënderbeun në fazën kualifikuese të Champions League.
Pavarësisht se është një klub me histori mbi 100-vjeçare, sukseset e Debreçenit në Hungari fillojnë në vitin 2005 ku fituan për herë të parë titullin kampion. Në 9 sezonet në vazhdim Debreçen ngriti edhe gjashtë herë të tjera titullin kampion, por dominimi i Debrecen u ndal në vitin 2014. Në pesë sezonet e fundit suksesi më i madh i klubit ka qenë renditja në vendin e tretë në dy raste.
Në sajtin e njohur “transfermarkt”, vlera e lojtarëve të Debreçenit është 6.9 milionë euro, ndërsa vlera futbollistëve të Kukësit 5.5 milionë euro. Megjithatë, përafërsia në këto shifra mund të jetë disi e gënjeshtërt, pasi diferencat në buxhetet e skuadrave dhe infrastrukturë janë të mëdha. Mjafton të përmendim faktin se stadiumi i hungarezëve ka kushtuar 40 milionë dollarë për t’u ndërtuar.
Mark Sheçi ishte lojtari me numrin më të lartë të golave në sezonin që lamë pas. Sulmuesi 25-vjeçar shënoi tetë gola në 25 aktivizime. Mesfusha është pika më e fortë e hungarezëve. Kapiteni Daniel Tozher është një lojtar me eksperiencë të madhe, ndërsa 23-vjeçari Kevin Varga cilësohet si një ndër futbollistët më cilësorë në vend.