Kirian Nuabueze ishte afrimi i parë i Laçit, ndërkohë që ditën e sotme kanë ardhur konkretizimet e tjera. Bardhezinjtë kanë firmosur me dy mbrojtës, serbin Aleksandar Ignjatoviç dhe lezhjanin Rudolf Turkaj. I pari, pasi ka kryer vizitat mjekësore, ka nënshkruar një kontratë që e lidh me Laçin deri në verën e vitit 2021.
Turkaj nga ana tjetër ka nënshkruar për tre vite. Në ditët në vijim pritet të ketë edhe të tjera afrime, ndërkohë që sikurse dihet janë edhe disa elementë të huaj e shqiptarë të cilët po testohen nga trajneri Sulejman Starova.
IGNJATOVIÇ – Bëhet fjalë për një shtatlartë, 192 centimetra, me shumë eksperiencë, i cili karrierën e ka nisur në Serbi te Radniçki Nish. Ignjatoviç më pas ka kaluar te Borac Çaçak, ku në dy sezone është aktivizuar rregullisht dhe ka spikatur. Në vitin 2010 Fejnordi e mori në huazim me të drejtë blerje, duke paguar shumën e 300 mijë eurove.
Pas gjashtë muajve në Holandë, 31-vjeçari u kthye sërish në Serbi. Më pas ai është aktivizuar në Hungari me Honved, sërish me Radniçk Nish në Serbi dhe me Novi Pazar. Dy sezonet e fundit ai ka luajtur me Sloboda Tuzla në Bosnje Hercegovinë.
TURKAJ – Mbrojtësi lezhjan dy sezonet e fundit është aktivizuar në Kategorinë e Parë në dy sezonet e fundit dhe për herë ta parë do t’i bashkohet një ekipi të Superiores. 24-vjeçari luajti titullar në miqësoren e kurbinasve me Teutën, në krahun e majtë të mbrojtjes.
Në të shkuarën ai është aktivizuar edhe me Besëlidhjen dhe Shënkollin. Tre sezonet e fundit ai ka qenë protagonist, ndërkohë që me Ilirinë vjet ka spikatur edhe me shënimin e golave. Turkaj ka gjetur rrugën e rrjetës katër herë.