Teuta vijon të bëjë merkato dhe drejtuesit po punojnë të arrijnë marrëveshjet me disa futbollistë, kryesisht në repartin e avancuar. Edhe largimet kanë qenë disa, ndërkohë që sot është njoftuar marrëveshja për ndërprerjen e kontratës me mbrojtësin Dajan Shehi.
“Dajan Shehi largohet nga Teuta. Klubi njofton se nga sot Shehi ka përfunduar aventurën e tij me ekipin e Teutës. Mbrojtësi ishte edhe një vit nën kontratë me Teutën, por palët prishën marrëveshjen me konsensus. Shehi sezonin e fundit ishte huazuar te Kastrioti. Klubi i uron suksese të mëtejshme në karrierën e tij si futbollist”, shkruan klubi durrsak përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
Shehi u aktivizua rregullisht te Kastrioti, klub të cilit ai i ka uruar suksese dhe rikthim në Superiore. Gjithashtu mbrojtësi nga Elbasani ka falënderuar edhe Teutën dhe tashmë pret ofertën e duhur për të vijuar karrierën. Ai është lojtar i lirë dhe mund të vendosë vetë se ku do të aktivizohet.