Pas përfundimit të sezonit në kaluar, Dinamo ende nuk është bërë e “gjallë” në përgatitjet e saj për sezonin e ri. Te skuadra dinamovite nuk ka ende emra që të përfliten në merkato.
Në klubin blu, drejtuesit janë të paqartë për vazhdimësinë, ndërkohë që edhe Drejtori Teknik i saj, Artan Mergjyshi, për SportEkspres.com deklaron se nga përfundimi i kampionatit e deri më sot gjithçka është pezull.
Përgatitjet e sezonit të ri – “Nuk mund tu them më shumë se sa pushimet që po bëjmë të gjithë në skuadër. Gjithçka duket pezull, dhe pas datës 15 korrik që kemi njoftuar nisjen e përgatitjeve për sezonin e ri, do mësohet gjithçka për vazhdimësinë e skuadrës në sezonin e ri”.
Ndryshimet në klub – “Unë nuk jam në dijeni për ndryshime të drejtuesve te skuadra jonë. Gjatë kësaj periudhe pushimesh unë kam menduar edhe për programin stërvitor dhe merkaton, por të gjitha këto marrin rrugë pas datës 15 korrik. Rëndësi ka që grupi i futbollistëve i cili e mbylli sezonin e kaluar do të jetë edhe për sezonin e ri”.
AGRON KAJA