Edhe pse është me pushime në Itali, portieri i Besës, Festim Miraka nuk ka qëndruar indiferent në këtë periudhë merkatoje. Mediatikisht, gramshioti Miraka është përfolur gjatë kësaj periudhe për lëvizje të mundshme të tij nga skuadra e Besës, edhe pse ai e pranon se ka kaluar shumë mirë me këtë skuadër.
“Ngacmimet” nga skuadra të tjera në Kategorinë e Parë duket se e kanë tunduar gardianin për të menduar lëvizje nga Kavaja. “Më kanë kontaktuar dy skuadra të Kategorisë së Parë, që do hyjnë me pretendime për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore.
Duke qenë se ende nuk e kam mbyllur me Besën, dua të qëndroj korrekt. Për mua Besa është skuadër e respektuar, ashtu edhe drejtuesit e saj, ndaj pas datës 20 qershor do ulem të bisedoj me drejtuesit e klubit dhe së bashku do vendosim”, ka deklaruar portieri Miraka për SportEkspres.com.
Duke mos deklaruar skuadrën e interesuar dhe për çfarë do të vendosë me drejtuesit e klubit, Miraka e le të hapur gjithçka për vazhdimësinë. “Nuk dua t’i prish punë vetes të tregoj skuadrat e interesuara. Pasi ta kem mbyllur me Besën, natyrisht që ofertat do t’i bëj publike. Do flas pasi t’i kem rregulluar zyrtarisht punët”, përfundoi Miraka Në karrierën e tij, 31-vjeçari Festim Miraka ka luajtur me Lushnjen, Pogradecin e Luftëtarin, Turbinën, Luzin e Tërbunin.
AGRON KAJA