Skuadra e Tomorit e nisi me pretendime sezonin që mbylli në Kategorinë e Parë. Starti u duk pozitiv me përforcime lojtarësh dhe me Bledar Devollin trajner, por largimi i gjirokastritit nga pankina dhe vendosja e disa teknikëve të rinj, nuk solli ndryshim. Madje, në gjysmën e dytë të sezonit u larguan dhe disa lojtarë, për shkak të mospagesave nga ana e Bashkisë që menaxhon skuadrën. Ish-portieri dhe kapiteni i Tomorit, Madrit Muzhaj, për SportEkspres.com shprehet se këtë situatë fajëson vetëm drejtuesit e klubit dhe të Bashkisë.
ADMINISTRIMI -“Menaxhimi i skuadrës së Tomorit në këtë sezon të dështuar, u bë nga njerëz të paformuar për të drejtuar një skuadër futbolli, që pretendonte elitën. Për mënyrën se si ata u sollën me skuadrën, treguan se janë shumë vite larg Tomorit të vërtetë. Për këtë dështim, duhet t’i kërkojnë falje publike të gjithë tifozerisë beratase, pse jo edhe skuadrës që e copëtoi nga faza në fazë”.
TRAJNERËT -“Nuk mund të ndodhte ndryshe edhe me trajnerët, të cilët u zëvendësuan katër herë brenda një sezoni. Nuk është faji i tyre, por i drejtuesve që nuk dinin të respektonin dhe të përzgjidhnin vlerat e pankinës. Me kontingjentin që ata kishin në dispozicion, nuk mund të jepnin më shumë, nisur nga situata psikologjike e mospagesave, që për mendimin tim ishte shkaku kryesor i rënies së skuadrës në të Dytën”.
SKUADRA – “Në nisje të sezonit, u bë një përzgjedhje e mirë nga Bledar Devolli, por largimi i tij la shumë dyshime te futbollistët, të cilët e shikonin vazhdimësinë të zymtë. Mendoj se të gjithë futbollistët dhanë më shumë se sa u trajtuan nga Bashkia, e cila i la pa pagesa për pesë apo gjashtë muaj. Kështu nuk mund të pritej më shumë, dhe unë i falenderoj futbollistët për që dhanë, njëherësh edhe i inkurajoj që të kërkojnë pagesat e tyre të pashlyera”.
AGRON KAJA