Mauricio Sarri është favoriti për stolin e Juventusit. Për momentin, pasi bardhezinjtë kanë treguar se dinë të surprizojnë në momentet e fundit. Me uljen e trajnerit të Çelsit në stol, nuk do të mungonin largimet nga ekipi. Pjaniç, Rugani, Dibala dhe Higuain do nisnin punën për gjetjen e një ekipi të ri.
Në dyshim është e ardhmja bardhezi e Dagllas Kostës dhe Kedirës, ndërsa ka dilema edhe për Mario Manxhukiç, sipas raportimeve të mediave italiane.
Më pas dhe emrat e preferuar. Corriere dello Sport zgjedh tre prej tyre, ndërsa nuk mungon edhe një shqiptar. Ata janë Federiko Kieza i Fiorentinës, Sergej Milinkoviç-Saviç dhe Elseid Hysaj.
Shkodrani mbetet një nga të preferuarit e Sarrit dhe ky i fundit do ishte gati t’i kërkonte drejtuesve që të siguronin transferimin e mbrojtësit të djathtë në Torinon bardhezi.