Arjen Roben do të veshë të shtunën në drekë për herë të fundit bluzën e Bajernit. Holandezi fluturues do të largohet pas 10 viteve në Bavari dhe lotët nuk do të mungojnë në “Alianz Arena”.
Dëmtimet e shpeshta dhe mosha 35-vjeçare nuk e lejojnë që të vazhdojë përsëri në nivele të larta. Bajernit i mjafton një pikë kundër Ajntrahtit të Frankfurtit për të fituar titullin kampion pas një rivaliteti të egër me Dortmundin dhe Roben është gati të festojë titullin e tetë dhe ta kthejë në të paharrueshme ditën e lamtumirës.
“Po arrij ta pranon faktin që historisë time me Bajernin i erdhi fundi. Dua ta shijoj në maksimum kohën që më ka mbetur dhe, ku i dihet, dua të provoj të arrij shifrën e 100 golave në kampionat. Nëse nuk ia dal fëmijët do të më qortojnë”, shprehet me shaka anësori i djathtë për “Kicker”.
Roben është ndalur te shifra 98 gola në kampionat dhe 143 në total në 306 prezenca me bluzën e Bajernit mbi supe. Ndeshjen e fundit do të zhvillojë edhe Frenk Riberinë. Me francezin e lidh një miqësi e pastër dhe qindra beteja të zhvilluara në fushën e blertë.
“Përshëndetemi si miq, edhe pse kemi patur debate mes nesh. Ndoshta këto na kanë ndihmuar për të krijuar një raport më të thellë. Dua të tregohem i sinqertë edhe në diçka. Ndonjëherë e kam ekzagjeruar me simulimet dhe rrëzimet. Ka disa video ku nuk kam bërë një figurë të mirë”, përfundon Arjen Roben.