Mbeten edhe 90 minuta nga fundi zyrtar i sezonit 2018-2019, por te Dinamo më së shumti po mendojnë për sezonin e ardhshëm. Gjatë gjithë fazës së tretë stafi teknik ka synuar ndërtimin e një formacioni që t’i shërbejë së ardhmes. Drejtorit teknik i kësaj skuadre, Artan Mërgjyshi, flet në lidhje me planet e të ardhmes.
“I kemi nisur negociatat me pjesën më të madhe të skuadrës aktuale dhe kemi rënë parimisht dakord që edhe sezonin e ardhshëm të jenë pjesë e Dinamos. Synimi ynë është ngjitja në Kategorinë Superiore dhe rreth 15 futbollistë që po mbyllin këtë sezon do të qëndrojnë në skuadër”, tregon Mërgjyshi
Më tej ai thekson se synojnë të bëjnë disa afrime cilësorë, në mënyrë që ta arrijnë objektivin sezonin e ardhshëm. “Do të zhvillojmë edhe merkato. Kemi në plan që të afrojmë rreth 7 lojtarë cilësorë dhe me eksperiencë”, theksoi drejtori Mërgjyshi.
“Për ta rikthyer Dinamon në elitën e futbollit shqiptar, po përqendrohemi edhe në një organizim total të klubit. Kjo do të thotë se edhe akademia do të ketë mbështetje të plotë. Java e fundit e këtij sezoni, sfida me Besëlidhjen, konsiderohet si një ndeshje ku do tregohet gjendja reale e skuadrës. Synimi është fitorja dhe vendi i dytë”, përfundoi Artan Mërgjyshi për SportEkspres.com.
AGRON KAJA