Mançester Siti është në garë për dy trofe këtë sezon, Premier League dhe FA Cup. Trajneri Pep Guardiola iu ka kërkuar të tijve të bëjnë hapin e fundit në Brajton, të dielën, në mënyrë që t’i fitojnë këto dy tituj:
“Unë nuk do ta ndryshoj atë që kam thënë. Kemi bërë gjëra të mëdha këtë sezon dhe lojtarët meritojnë respektin maksimal. Jemi në finalen e Kupës FA, arritëm në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Jemi sërish favoritë për titullin kampion dhe këto arritje nuk janë pak.
“Sigurisht nuk kemi fituar ende asgjë, por këto janë arritje që shpeshherë nuk vihen re. E mbaj mend mirë kur u eliminuam në Champions, shkatërruan lojtarët, trajnerin, klubin, na sulmuan pa fund dhe kjo gjë do të ndodhë edhe tani, nëse nuk fitojmë. Do të japim maksimumin në ndeshjet e mbetura, duhet të fitojmë dy trofetë që kemi në dispozicion. Me Uotfordin, shumë mendojnë se është ndeshje e fituar, por është një finale dhe në Kupën FA, ka pasur shpeshherë surpriza.
Duhet të fitojmë edhe në kampionat, të ruajmë statusin e kampionit. Nuk e mendoja kurrë se do të ishim në këto pozita, sidomos kur ishim 7 pikë larg Liverpulit. Tani jemi shumë pranë, lojtarët të bëjnë hapin e fundit për të fituar këto trofe”, përfundoi Guardiola.