VAR-i po ndihmon në përmirësimin e gjykimit të një ndeshje, por përdorimi i teknologjisë ka edhe pasoja. Problem kryesor mbetet koha e harxhuar gjatë shikimit të pamjeve të dyshimta.
Gjatë Botërorit të fundit që u zhvillua verën e kaluar në Rusi, plot 27 minuta u harxhuan me ndërprerjen e ndeshjeve. Për t’i shfrytëzuar më mirë në aspektin televiziv pauza të tillë, drejt FIFA-s dhe UEFA-s kanë vërshuar oferta tunduese për reklama nga kompani të mëdha gjatë kohës që arbitrat rishikojnë pamjet, sipas raportimeve të “Financial Times”.
Dy qeveritë e futbollit pretendojnë se i kanë refuzuar këto propozime, ndërsa gazeta britanike e cilëson këtë rast si mundësinë më të madhe që është krijuar ndonjëherë në futboll.
Një zë i brendshëm i Ligës spanjolle zbulon se kjo pistë është e qëndrueshme. Komercializimi i VAR-it mund të gjenerojë të ardhura nga 58-116 milionë euro. Një minutë publicitet gjatë ndeshjeve me eliminim direkt në Kupën e Botës Rusi 2018 do të kishte gjeneruar rreth 700 mijë euro fitime.