Ëndrra 287-ditore, rrugëtimi fantastik i Ajaksit në Champions

Ishte 25 korriku i vitit të shkuar dhe Ajaksi i Amsterdamit “prishte” pushimet, pasi e niste sezonin më herët se zakonisht, kjo për shkak të vendit të dytë në kampionat pas rivalëve të PSV-së, teksa do të priste në “Johan Cruijff Arena” austriakët e Sturmit.

Luhej për kualifikueset e UEFA Champions League dhe “Harkëtarët” duhet të respektojnë traditën. Diçka e tillë ndodhi dhe Ajaksi triumfoi në sfidën e parë 2-0, ndërsa në Grac arriti një tjetër triumf 1-3, duke siguruar kualifikimin në raundin e tretë, ku e prisnin miqtë e Standardit të Liezhit.

Barazim 2-2 në Belgjikë, ndërsa në Amsterdam luhet një tjetër melodi. Gola, festë dhe kualifikim. Huntelar, De Ligt dhe Neres shënojnë nga një gol secili, me Ajaksin që triumfon 3-0 dhe siguron kalimin në fazën “play-off”, ku përballë do të ketë Dinamon e Kievit.
Sfida e parë luhet në “Johan Cruijff Arena”, me holandezët që e nisin në mënyrë perfekte takimin. Vetëm dy minuta lojë dhe Doni Van de Bek çon peshë stadiumin, ndërsa Kexiora barazon shifrat në të 16-tën. Gjithsesi, Zijesh e Tadiç çojnë shifrat në 3-1, rezultat me të cilin u mbyll përballja e parë.

Në Kiev, “Harkëtarët” administrojnë gjithçka mjaft mirë, në një sfidë që u mbyll pa gola. Festë e çmendur nga lojtarët e tifozët, me Ajaksin që festonte rikthimin në Champions pas katër vitesh, gati një përjetësi për një ekip me histori si ata.
Shorti i fazës së grupeve i rezervon një grup të kalueshëm, me ekipe mesatare si Benfika e AEK-u Athinës, si dhe një emër të madh si Bajerni i Mynihut. Rrugëtimi nis në shtëpi ndaj grekëve, të cilët Ajaksi i mposht 3-0, me dy gola të Taljafikos dhe një të Van de Bek.

Sfida e dytë është edhe ajo që bëri bujë, me holandezët që udhëtonin drejt Mynihut, për t’u ndeshur me Bajernin. Golit të Humels në minutën e katërt iu përgjigj Mazraui në të 22-tën, me Ajaksin që dominoi në “Allianz Arena”, duke pasur një mori me raste, por me rezultatin final 1-1.
Më pas vinin dy ndeshjet me Benfikën, rivalin direkt për të kaluar më tej. Triumf në Amsterdam 1-0 në frymën e fundit dhe barazim në Portugali, me Ajaksin që ishte me një këmbë në 1/8-at e Championsit.

Në ndeshjen e pestë, “Harkëtarët” fitojnë në Greqi 0-2 ndaj AEK-ut, ndërsa në sfidën e fundit barazojnë 3-3 me Bajernin në shtëpi. Kalim në 1/8-at, shortin që i rezervon Realin e Madridit, kampionen e tri viteve të fundit.
Forma e dobët e këtij sezoni te Reali u jepte besim djemve të rinj të Erik Ten Hag, të cilët ndeshjen e parë e luanin në shtëpi. Lojë e bukur dhe dominim, por spanjollët kanë eksperiencë dhe janë më cinikë.

Disfatë 1-2 për Ajaksin dhe shpresat për të kaluar më tej dukeshin të zbehura krejtësisht. Në Madrid duhej një mrekulli. Një mrekulli, që u kompletua për vetëm 11 minuta… Në “Santiago Bernabeu”, pas vetëm shtatë minutash Zijesh dha shkëndijën e parë, ndërsa në të 18-tën Neres i dha jetë ëndrrës.

Në pjesën e dytë holandezët vijojnë të dominojnë dhe nuk lëshojnë terren, teksa në minutën e 62-të Tadiç çon shifrat në 0-3. Kampionët e tri viteve të fundit në Champions kapitullojnë në shtëpi, përballë bandës së djelmoshave nga Amsterdami, me ndeshjen që përfundoi 1-4 pas fërshëllimës së fundit.Ajaksi më në fund kishte nisur të merrej seriozisht, teksa po mahniste çdo futbolldashës me lojën dhe lojtarët që kishte në përbërje. Në çerekfinale përballë kishin Juventusin, ndoshta pretendentin më të madh për ta fituar trofeun “veshëmadh”.

Në Amsterdam luhet e njëjta melodi si gjithnjë. “Dhunë” tifozerie, festë dhe spektakël në fushë. Gjithsesi, Juventusi merr një barazim me vuajtje, duke lënë gjithçka të hapur për kualifikimin, që diskutohet i gjithi në Torino.
Kristiano Ronaldo çon në avantazh Juven, duke goditur shpresat e Ajaksit… për vetëm gjashtë minuta. Vetëm 6 minuta e shijoi kalimin në gjysmëfinale Juventusi, me Van de Bek që barazoi shifrat, ndërsa qershia mbi tortë ishte padyshim kapiteni De Ligt.
19-vjeçari kërcen mbi të gjithë dhe me kokë shënon golin e avantazhin dhe të kualifikimit. Banda nga Amsterdami duket se nuk ka asnjë lloj respekti për më të mëdhenjtë, por shkel kë i del përpara.
Në gjysmëfinale i pret Totenhemi, me “Gjelat” që pa Herri Kejn dukeshin “me pupla të rëna”. Ajaksi ka besim dhe ka të gjithë botën e futbollit me vete. Në Londër mjafton Van de Bek, i cili i jep triumfin 0-1 dhe i afron jashtëzakonisht shumë pranë finales.

Kthimi luhej në shtëpi, ku si gjithmonë pritej e njëjta melodi. Çmenduri tifozerie, spektakël në fushë dhe… festë. Dy të parat si gjithmonë ishin të pranishme, por kjo e fundit u ndërpre vetëm në minutën e 96-të. Përmbysje e çmendur e Totenhemit, me londinezët që shënojnë në minutën e 96-të golin e kualifikimit.
Ëndrra e Ajaksit zgjati 287 ditë në Champions dhe u shua aty ku nisi… në “Johan Cruijff Arena”. Banda e djelmoshave të pasjellshëm nga Amsterdami, të cilët nuk kishin respekt për më të mëdhenjtë, bëri që e gjitha bota e futbollit të dashurohej me ta. Të paktën prishja e pushimeve verore të një viti më parë ia paska vlejtur për De Ligt & Co…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online