Edon Hasani. 27 vjeç, vendlindja Shkodër. Tirana ka qenë një shtëpi e dytë për shumë bashkëqytetarë të tij që janë marrë me futboll. Në verë pati shumë dilema, ndërkohë që edhe Partizani i kishte bërë një ofertë. Duke parë ecejaket e kohëve të fundit, në kampin e kuq e nënvlerësuan mesfushorin. Refik Halili kishte kohë që mendohej dhe bëri ofertën e tij. Hasani pranoi dhe është një nga liderët e kësaj skuadre, që me paraqitjet e bëra nuk duhet ta diskutonte mbijetesën. Gjithsesi në futboll njihen edhe situata të tilla.
Askush nuk e kishte menduar që Hasani në këtë moment të sezonit do të ishte shënuesi më i mirë i Tiranës në kampionat. Mesfushori ka shënuar 10 gola, një më pak se shënuesi më i mirë, Vasil Shkurtaj. Sulmuesit në Superiore duhet ta kenë zili, në aspektin e shifrave. Në fillim të muajit janar theu rekordin personal, duke shkuar në kuotën e 7 golave. Në të shkuarën ka realizuar deri në pesë gola, tani numëron dyfishin dhe ka ende ndeshje për t’u luajtur.
“Rekordi i golave? Të them të drejtën e kam menduar. Në fillim të vitit, kur kam diskutuar me drejtuesit e klubit të Tiranës, insistova për të vendosur një klauzolë në kontratë që do shënoj 10 gola. Është diçka që nuk ma aprovuan. Kështu që e kam parandjerë. Pra paskeni dalë i humbur? Po, deri diku (qesh)”, shprehej Hasani për mediat pas ndeshjes me Kamzën. Mesfushori njërën sfidë me 10-ën e ka fituar. Tjetra është me numrin mbi shpinë.
“10-ta është si një numër i mallkuar këtu te Tirana. Lojtari i fundit i mirë që ka pasur numrin 10-të ka qenë Devi Muka, të tjerët që e kanë marrë nuk u ka ecur mirë. Kur erdha këtu doja ta merrja, por drejtuesit më shpjeguan historikun dhe nuk ma sugjeruan. Por ndoshta në vazhdim mund ta marr 10-ën për të thyer mallkimin”, deklaronte Hasani për kolegët tanë në Supersport. Tanimë mban numrin 10 në fanellë. Sigurisht për të arritur në nivelin e Mukës dhe për ta dashur tifozët si atë, duhet bërë edhe më shumë. Shkodrani po mundohet dhe me golat e shënuar sigurisht që i ka bërë shumë për vete. Festa e golit ndaj Skënderbeut tregon egon e lojtarit, ego që Tirana e ka në “gen”.
Ka pasur ndeshje që Hasani edhe ka shtrënguar dhëmbët për të luajtur, edhe pse ka pasur probleme. Gjithashtu ka pasur momente kur është ndjerë keq. Me penalltitë s’i ka pasur të mira raportet, ka humbur dy: me Flamurtarin dhe me Laçin. Ajo kundër kurbinasve “djeg” për mënyrën se si shkuan gjërat më pas. Gjithsesi Hasani nuk u dorëzua, të radhës në Gjirokastër e mori përsipër dhe e dërgoi në rrjetë. Ka ende rrugë, që mesfushori do kërkojë ta bëjë në mënyrën më të mirë si bardheblu. Fitimi i Kupës do ishte qershia mbi tortë, sigurisht me sigurimin e mbijetesës në Superiore. Hasani është gati për betejat në vazhdim!