E ardhmja e Alegrit me Juventusin është akoma në ajër. Pozitat e tij janë lëkundur pas eliminimit nga Champions Liga. Tifozët duan një tjetër lloj futbolli dhe kërkojnë një emër të madh për stolin ose një rikthim.
Zidan ishte dëshira e madhe, por francezi zgjodhi një tjetër rikthim, atë në Madrid. Së fundmi ka dalë në skenë emri i Antonio Kontes, por ish-trajnerin e Çelsit e duan të gjithë.
Alegri do të takohet një nga këto ditë me presidentin Anjeli. Aty do të analizohet gjithçka dhe do të vendoset nëse bashkëpunimi do të vijojë apo lart do të ndahen në fund të sezonit.
Trajneri livornez është i qetë, pavarësisht se dallohet qartë fakti që ai e dëshiron sa më shpejt një takim kokë me kokë me Andrea Anjelin.
“Para së gjithash dua të takoj presidentin dhe t’i dëgjoj nga goja e tij idetë që ka në kokë. Juventusi duhet të jetë kompetitiv në të gjitha frontet si gjithmonë, për fitimin e titullit, Kupës së Italisë dhe Champions Ligës. Duhet të takohemi për të programuar dhe për të diskutuar për sezonin që po lëmë pas.
Të nxjerrim në pah gjërat pozitive dhe ato negative, si edhe të flasim për planet e verës. Çdo gjë tjetër është normale. U takuam këtë mëngjes me presidentin, por jemi parë edhe para disa ditësh. Kur ta vendosim, Anjeli do të më telefonojë dhe do të lëmë një takim. Nuk do të ketë asnjë problem”, përfundon trajneri i bardhezinjve.