Xhixhi Bufon shijoi titullin kampion në Francë dhe po mendon për të ardhmen. Kontrata me PSG përfundon në fund të sezonit, ndërkohë që rinovimi nuk ka ardhur ende.
Në një situatë të tillë, 41-vjeçari po mendon rikthimin në Itali. Sipas raportimeve të Sportmediaset, Bufon mund të bëjë një lëvizje të papritur dhe mund të rikthehet te Juventusi, aty ku i ka të hapura dyert.
Jo më për të veshur dorezat e portierit dhe për të zbritur në fushë, por për të punuar si drejtues. Presidenti Anjeli është gati t’i ofrojë një post si drejtues në klub. Megjithatë, portieri nuk ka vendosur ende.
Agjenti i tij do të udhëtojë drejt Parisit për të marrë vesh qëllimet e klubit kryeqytetas. Dëshira për të vazhduar edhe një vit për të provuar për herë të fundit fitimin e Champions Ligës është e madhe, por ka edhe një problem.
Zërat e merkatos e lidhin David De Gean me një kalim te PSG. Spanjollit i përfundon kontrata me “Djajtë e Kuq” të Mançesterit në fund të sezonit dhe transferimi i tij në Francë do i jepte fund aventurës së Bufonit. Italiani duhet të vendosë: të vazhdojë edhe një vit duke luajtur ose të rikthehet në shtëpinë e tij, për të nisur një etapë të re në karrierën e tij të lavdishme.