Dilly Duka, ky është lojtari që Skënder Gega kërkoi me ngulm që në verë. Asokohe tratativat nuk u mbyllën dhe kjo për arsye familjare të vetë lojtarit. Në janar zbarkoi në kryeqytet dhe Tirana i pëlqen. Një ndihmë e madhe i ka ardhur edhe nga fakti që shumë prej lojtarëve në ekip flasin anglisht.
“Tirana është një qytet shumë i bukur. Familjes sime i pëlqen së tepërmi, sidomos shëtitjet në park. Në skuadër shumë lojtarë flasin anglisht dhe kjo ma bëri përshtatjen më të lehtë. Kuptoj shumë mirë shqip, por nuk arrij të flas. Kjo pasi dhe në familjen time kemi komunikuar pak shqip. Gjithsesi fakti që të gjithë flasin anglisht ma bën pak problematik mësimin e gjuhës sime të origjinës”, tregon Duka në intervistën e dhënë për Supersport.
Kampionati ynë është ndalesa e radhës dhe mesfushori i avancuar deklaron: “Kategoria Superiore më pëlqen sepse ka shumë rivalitet. Të gjitha ekipet luftojnë për diçka dhe kjo e bënë çdo fundjavë shumë të bukur për t’u ndjekur në aspektin sportiv”. Sigurisht ai ka komentuar edhe për ambientin në klubin e kuq.
“Drejtuesit janë shumë të kënaqur me punën e bërë dhe këtë e transmetojnë edhe tek ekipi. Për më tepër të gjitha lojtarët janë njerëz shumë pozitiv dhe kjo t’i lehtëson gjërat kur ke për të menduar për objektiva të rëndësishme”, shton Duka.
Në fokus Laçi, kundërshtari i radhës: “Kam luajtur kundër Laçit dhe humbëm 1-0. Janë një skuadër shumë e përgatitur dhe luajnë një futboll shumë të mirë, por ne duhet të japim më të mirën tonë nëse kërkojmë që të fitojmë titullin. Është e vetmja rrugë për të arritur suksesin”.
Duka, në fund flet edhe në lidhje me pozicionin e tij në fushë: “Këtu kam luajtur kryesisht paksa i tërhequr. Kjo pasi kemi shumë dëmtime. Në fakt unë jam sulmues i mirëfilltë dhe nuk ka qenë e lehtë të bëj një detyrë që nuk më shkon për shtat. Gjithsesi më duhet të sakrifikoj me ekipin dhe këtë e bëj me kënaqësi”.