Një gjest i admirueshëm ka ndodhur në takimin e kësaj fundjave në kampionatin danez midis Vejles dhe Arhus.
Një duel për topin sjell që një ndër lojtarët e Vejles (skuadër ku aktivizohet Ylber Ramadani) të rrëzohet në tokë në dhimbje e sipër. Fillimisht, arbitri nuk e ndal lojën, por më pas ndryshon mendje dhe i bie bilbilit në mënyrë që stafi mjekësor të futet në fushë.
Pasi situata qetësohet, arbitri i jep topin lojtarit të Vejles, Jurçenko, i cili për të respektuar rregullat e pashkruara të “Fair-Play” duhet që normalisht ta kthente topin te skuadra kundërshtare, pasi këta të fundit kishin kontrollin e topit në momentin e ndalimit të lojës.
Mirëpo, mesfushori i Vejles shënjestron portën dhe shënon duke përfituar nga dalja e portierit. Zemërimi i lojtarëve të Arhus është i madh, por situata qetësohet shumë shpejt kur skuadra vendase merr vendimin për të shlyer veprimin e Jurçenkos dhe i hap portën kundërshtarit në mënyrë që të rivendoset baraspesha në 1 – 1.
Veprimi është për t’u duartrokitur pasi Vejle rrezikon seriozisht rënien nga kategoria dhe presioni që shoqëronte këtë ndeshje ishte i lartë. Fatkeqësisht skuadra ku aktivizohet Ylber Ramadan u mund me rezultatin 4 – 2.