Tirana dhe Luftëtari përballen dy herë brenda katër ditëve, teksa kemi të bëjmë me dy ndeshje mjaft të rëndësishme. Të dyja skuadrat duan kualifikimin në finalen e Kupës së Shqipërisë dhe do japin gjithçka në fushë të mërkurën.
Të dielën gjithashtu është një finale. Për këtë ndeshje trajneri Julian Ahmataj do të ketë në dispozicion edhe mbrojtësin Dimitrios Koconis. Greku mungoi në Vlorë për shkak kartonësh dhe tashmë e ka shlyer pezullimin. Një rikthim i rëndësishëm, që garanton mbrojtjen bluzi.
Nga ana tjetër Tirana do të ketë një mungesë të madhe. Majkëll Ngo në kampionat nuk mund të luajë, pasi ndaj Kukësit u ndëshkua me karton të verdhë dhe për anglezin ishte i katërti. Trajneri Mema duhet të gjejë një zgjidhje tjetër për sulmin.
Presioni për rezultat është i madh dhe mbetet për t’u parë nëse do t’i besojë të riut Ernest Muçi. Sulmuesi bëri mirë para një jave kundër Teutës dhe trajneri Mema e ka thënë se ai po bën diferencën gjatë stërvitjeve.