Jemi mësuar me tifozë që futen në fushën e blertë për të takuar idhullin e tyre. Mjaftojnë edhe pak sekonda për të qenë përballë futbollistit të preferuar, kënaqësi që nuk harrohet kurrë.
Në Uruguaj ka ndodhur një episod shumë i bukur dhe paksa ndryshe. Luhej ndeshja Plaza-Penarol. Një gol i kapitenit Pereira në minutat shtesë të pjesës së parë i dhuroi fitoren miqve.
Kur arbitri sinjalizoi fundin e takimit dhe lojtarët e dy ekipeve po kryenin ritualet e zakonshme të përshëndetjes, një tifoz vendas futet në fushë. Lukasi i vogël vuan nga Sindroma Down dhe zemra e tij rreh fort për Plazën. Djaloshi shkon menjëherë drejt portierit mik të Penarolit, të cilit i kërkon të gjuajë një penallti.
U tha, u bë! Të dy nisen drejt portës. Aty afrohet edhe arbitri për ta bërë sa më “serioz” këtë moment. Djaloshi puth topin, gjuan bukur, shënon dhe niset i lumtur drejt flamurit të kornes. Duartrokitje në stadium nga tifozët që nuk kishin ikur akoma, ndërsa Lukasi ndihet në qiellin e shtatë.
Ai rikthehet përsëri te portieri kundërshtar, i dhuron një përqafim të ngrohtë dhe del jashtë fushe krenar për golin e shënuar dhe emocionet e provuara.
El gestazo del fin de semana. El arquero de Peñarol con este hincha de Plaza Colonia. pic.twitter.com/Y3GjoBBEtf
— El Número Diez (@numerodiezco) April 15, 2019