Tirana do të udhëtojë pasditen e nesërme në transfertën e “Niko Dovanës”, ku do të ndeshet me Teutën. Një sfidë delikate për bardheblutë, të cilët janë në vallen e mbijetesës. Në kuadër të ndeshjes, ka folur për mediat trajneri Ardian Mema, i cili u ndal në disa çështje.
NDESHJA ME TEUTËN – “Çdo trepikësh ka vlerën e vet, sidomos në këtë situatë ku është skuadra. Një nga gjërat që kam biseduar me lojtarët është pjesa që duhet të fitojmë ndeshjen, pasi kjo gjë do të na cojë lart. Duhet dhe shumë kujdes, pasi janë momente jo të mira për ekipin tonë. Pavarësisht se pikët janë të nevojshme duhet të kemi kujdes, mjafton të shohim ndeshjet e fundit. Këtij ekipi nuk i kanë munguar rastet apo shanset për të fituar ndeshjet dhe këtu është përqendruar më së shumti diskutimi dhe analiza me lojtarët.”
PRESIONI – “Në këtë kampionat me dy ndeshje ndyshojnë shumë gjëra. Nuk dua ta vendos ekipin për asnjë çast në presion. Ky është dhe parim i imi. Vendos më mirë veten timë në presion se sa ekipin. Nuk duhet të humbasin, pasi mund të jetë mundësi edhe për vazhdimësi. Teuta është një ekip cilësor kështu që edhe barazimi është pozitiv, flasim për momentin që po kalojmë. Gjithsesi, ne do mundohemi për fitoren, pasi do të na bënte mirë. Sidoqoftë, është ndeshje futbolli dhe i ka të tre rezultatet.”
LOJA E TIRANËS – “Nëse përjashtojmë ndeshjen ndaj Laçit në kupë, që më kujtoi ndeshjet e para te Tirana, ndeshjet e tjera kanë qenë të mira. Dhe ndeshja në Vlorë nuk ka qenë keq, vetëm na mungoi goli. Gjithsesi, nuk mjafton pjesa e të luajturit mirë, pasi rezultati është garanci për ekipin dhe për anën psikologjike. Këtu edhe jam ndalur më së shumti kur kam folur me lojtarët, pasi nuk është koha që të humbasim raste dhe të mos marrim rezultate.”
KUNDËRSHTARËT – “Edhe kundërshtarët tanë kanë ndeshje të forta, ashtu si ne. Duhet të shohim veten tonë dhe jo kundërshtarin. E keqja ka qenë gjithmonë te pjesa jonë, megjithëse, mendoj që rivalët e kanë pasur më të lehtë t’i fitojnë ndeshjet edhe me kundërshtarë të fortë, ky është mendim i imi. Të shohësh një ekip të fitojë me gola binjak është pak çudi. Emrin e ekipit nuk dua ta them. Sidoqoftë, fajin duhet ta kërkojmë te vetja jonë.”
EKIPI DHE PRESIONI QË KA TIRANA – “Ekipi duhet të jetë komod dhe t’i shohë gjërat si duhet. Janë tetë ndeshje dhe pikët aty janë. Nëse do luajmë mirë dhe do fitojmë, ty i kemi pikët. Nuk na sjell njeri problem. Duhet të sillemi mirë në fushë dhe duhet të dimë se çfarë duhet të bëjmë. Duhet të jesh i drejtpërdrejtë me ekipin dhe duhet t’i kërkosh maksimumin në këto ndeshje që kanë mbetur, sepse nuk kemi çfarë presim më shumë. Kjo javë ka qenë më ndryshe dhe stërvitja ka qenë fortë. Kjo gjë më jep shpresa.”
ÇËSHTJA E 11-METËRSHAVE – “Penallti presim përsëri, pasi shans për të shënuar gol është. Jemi ulur dhe me stafin. Ne e kishim përcaktuar penalltinë. Është dhe çështje fati dhe gjendje psikologjike. Kur kam humbur penalltinë e dytë në karrierën time, nuk gjuajta më kurrë. Imami mori iniciativën. Për penalltinë e marr un përgjegjësinë dhe jo lojtari. Shpresoj të kemi përsëri penallti.”
E ARDHMJA – “Nuk dua ta çoj nëpër mend për momentin. Shpresa ime është të shpëtojmë sezonin dhe të shohim edhe nga kupa gjithashtu. Për Tiranën do bëja sakrifica edhe më të mëdha, pasi e kam edhe jetën të lidhur këtu. Nuk do e diskutoj kurrë pjesën e vazhdimësisë te Tirana.”
NJË BARAZIM NË DURRËS – “Synoj gjithmonë të fitoj ndeshjen. As të barazoj edhe as të mbrohem. Që të vegjël na e kanë injektuar në gjak pjesën e fitores dhe kjo është karakteristikë e futbollistëve të Tiranës. Gjithmonë me punë dhe me ndeshje të mirë. Edhe barazimi mund të jetë i mirë për momentin, por nuk është se do e pranoja kurrë.”
TEUTA – “Teuta pavarësisht humbjeve, kam parë që ka luajtur mirë. Ka lojtarë shumë cilësorë edhe është ekip shumë i fortë. Për sa i përket pjesës së lojës, Teuta ka shumë kualitet. Shpersoj që nesër të përballemi mirë dhe mendoj se e kemi përgatitur mirë ndeshjen.”
TIRANA E FAZËS SË TRETË – “Ekipi realisht më jepte garanci dhe jo më kot kemi fituar dhe ndaj ekipeve të kreut. Gjithsesi, ekipi më jep akoma garanci, pasi ndeshjet kanë qenë mjaft të mira. Thjesht ka munguar ajo pjesa e golit. Me një apo dy rezultate pozitive, ky ekip do të fillojë të mendojë përsëri ndryshe.”