Lautaro Martinez po tregon kualitetin e tij tek Interi. Sulmuesi argjentinas nuk është aktivizuar shumë gjatë këtij sezoni, por problemet e Ikardit me klubin e kthyen në një titullar të ekipit të Spaletit.
21-vjeçari ka shënuar gjithsej 9 gola me zikaltrit deri më tani. Në një prononcim për “La Oral Deportivo”, Martinez flet për raportin me Mauro Ikardin dhe faktin nëse mund të luajnë së bashku.
Sulmuesi ka një koment edhe për fitimin e titullit kampion në Argjentinë. Rasingu i tij u shpall kampion dhe ai ndihet i lumtur. Kombëtarja e Argjentinës është synimi i madh dhe Martinez tregon emocionet që provon sa herë vesh atë bluzë…
IKARDI – “Mauro më ka ndihmuar që në momentin e parë që erdha tek Interi. Ai është treguar shumë i aftë për të më lehtësuar përshtatjen me grupin e lojtarëve. Kemi luajtur me disa sisteme taktike, kryesisht me një gjysmësulmues pas sulmuesit kryesor. Kam luajtur edhe bashkë me Mauron dhe jam ndjerë mirë, ai në majë dhe unë pas tij. Numri 10? Unë gjithmonë punoj për të dhënë maksimumin, numri është thjesht për t’u identifikuar. E di rëndësinë e numrit 10 të Interit dhe përpiqem që ta meritoj atë.”
RASINGU – “Jam shumë i lumtur për fitimin e titullit kampion dhe për miqtë që kam atje. Jam tifoz i Rasingut dhe kam marrë në telefon disa shokë për t’i komplimentuar. Dua të krijoj eksperiencë dhe një ditë dua të rikthehem që të luaj në Argjentinë.”
KOMBËTARJA – “Jap maksimumin me klubin tim për të marrë një ftesë nga kombëtarja. Sa herë më grumbullojnë, lumturohem pa masë. Ndjej diçka speciale kur e vesh atë bluzë. Nuk dua të mungoj në listat e ndeshjes së ardhshme, por jo vetëm.”