Emanuel Mensah u pa të luajë në majë të sulmit kundër Luftëtarit. Ganezi doli sot para mediave dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, duke nisur nga receta e të kuqve për të shënuar më shumë gola. “Duhet të jemi më krijues në sulm për të shënuar më shumë. Pasimi final duhet më i saktë dhe duhet përqendrim më i madh, organizim. Duhet të ketë krosime, duele një kundër një të fituara”.
Në lidhje me Luftëtarin: “Sigurisht çdo ndeshje është e vështirë. Të udhëtosh tre orë pas ndeshjes me Kukësin, është normale që të ketë edhe lodhje”. Mensah së fundmi nuk po shënon, edhe pse po i merr minutat e kërkuara herë pas here.
“Futbolli është i tillë, ndonjëherë nuk i parashikon dot gjërat. Futesh në fushë dhe jep gjithçka dhe gjërat nuk shkojnë si do. Janë gjëra që ndodhin, edhe lojtarët e mëdhenj e kalojnë një moment të tillë. Duhet të vazhdojmë të punojmë, jam i sigurt që do të vijnë edhe golat. Prisni një gol nesër? Sigurisht. Dëshira ime është të shënoj çdo ndeshje, edhe në miqësore. Do ishte ideale të shënoja”.
“Dy javët e ardhshme, delikate? Çdo ndeshje është e rëndësishme, duhet të japim maksimumin dhe të marrim pikët maksimale. Tani nuk mund të lëmë asnjë pikë. Derisa të jemi matematikisht kampionë, nuk bëjmë dot asnjë llogari”.
“Partizani, trampolinë për ju? Po, çdo lojtar ëndërron të shkojë në kampionate të rëndësishme. Duhet të punoj fort çdo ditë për këtë. Partizani është një vend i mirë për të punuar fort dhe për të synuar transferimin në një kampionat më cilësor. Uroj të ndodhë. Është një mundësi e mirë për mua”.