Deportivo Lara arriti dy fitore brenda pak orësh gjatë ditës së djeshme. Ekipi nga Venezuela luajti ndeshjen e kampionatit kundër Llanerosit në transfertë pasdite, duke e fituar me rezultatin 2-3.
Në këtë sfidë u aktivizuan rezervat, ndërsa titullarët ishin ruajtur për ndeshjen e radhës. Pas 5 orë e gjysmë, Lara zbriti përsëri në fushë. Federata i druhej trazirave që kanë prekur vendin dhe vendosi të nxitonte me kalendarin.
Një gjë e tillë do i ndodhë edhe ekipit të Zamorës, që do i duhet të luajë brenda pak orësh kundër Karakas (kampionat) dhe Atletiko Mineiros (Libertadores). Më parë kjo gjë u ka ndodhur ekipeve argjentinase të Rasingut dhe Velezit në vitin 1997, San Paolos (Brazil) në vitin 1994, ndërsa rekordi absolut i përket Nacionalit. Ekipi nga Uruguai zhvilloi tre ndeshje brenda një dite në vitin e largët 1925.
Rikthehemi te Lara. Ndeshja e dytë luhej në shtëpi përballë Hurakanit të Argjentinës për Kupën Libertadores. Vendasit fituan 2-1, duke siguruar një trepikësh shumë të rëndësishëm për avancimin më tej në kompeticionin më të rëndësishëm për klube në Amerikën Latine.
Gjatë ndeshjes së dytë u vendos edhe një rekord në Libertadores. Bernaldo Manzano është 28 vjeç, luan në rolin e mesfushorit dhe aktivizohet me Larën prej janarit të vitit 2017. Manzano bëri gjithçka në këtë ndeshje.
Në minutën e nëntë u tregua i saktë nga pika e penalltisë dhe kaloi ekipin e tij në avantazh. Në fundin e pjesës së parë dhuroi asistin për Centenon, me këtë të fundit që dyfishoi shifrat.
Qendërmesfushori ishte i pafat rreth mesit të pjesës së dytë dhe shënoi në portën e tij, duke rihapur takimin. Kjo ishte ndeshja e tij dhe në minutën e 68-të, ai u ndëshkua me karton të verdhë.
Një të tillë e kishte marrë më parë në pjesën e parë dhe ky ishte i dyti. Automatikisht karton i kuq dhe Lara me një lojtar më pak. Vendasit arritën ta ruanin deri në fund avantazhin, duke siguruar fitoren e dytë brenda pak orësh, ndërsa Manzano ishte personazhi kryesor i kësaj përballje.
Bernaldo Manzano ya es LEYENDA VIVA de la Copa Libertadores: primer jugador con gol, autogol, asistencia y expulsión en un mismo partido. pic.twitter.com/sQqbp0jgfS
— MisterChip (Alexis) (@2010MisterChip) April 4, 2019