Në një studim të pesë kampionateve kryesorë të futbollit në Europë (Itali, Angli, Spanjë, Gjermani, Francë), Milani është ekipi me moshën më të re, me moshë mesatare të 11-es së formacionit: 24 vjeç e 88 ditë. Kuqezinjtë e Gatuzos nuk kanë asnjë lojtar mbi 30 vjeç në formacion.
“Të rinjtë janë e ardhmja e Milanit”, u shpreh trajneri përpara disa muajsh. Më i vjetri është Mateo Muzakio (mbush 29 vjeç në gusht). Pas tij vjen zvicerani Rodrigez (26 vjeç), ndërsa më i riu është Xhanluixhi Donaruma.
Portieri mbushi 20 vjeç me datë 25 shkurt, ndërsa numëron 156 ndeshje me ekipin e “Djallit”. Emra si Suso, Kesi, Kalabria, Çalhanoglu dhe Bakajoko janë të gjithë nën 25 vjeç.
Dy blerjet e janarit, Kristof Piatek dhe Lukas Paketa, janë gjithashtu të rinj. Polaku mbush 24 vjeç në ditën e parë të korrikut, ndërsa braziliani do të festojë 22-vjetorin e lindjes me datë 27 gusht.
Ekipi ka një bazë të fortë, të gjithë të rinj dhe të talentuar, ndërsa rezultat pozitive e kanë afruar shumë Milanin me rikthimin në Champions Ligë. Projekt i qartë i drejtuesve dhe kënaqësi për tifozët, të cilët i ka marrë malli të shohin kuqezinjtë në mbrëmjet magjike europiane.