Debutimi i Bulkut dhe kur Andorra turpëronte Shqipërinë

Viti 2002. Federata Shqiptare e Futbollit që në atë kohë drejtohej nga Miço Papadhopulli, për shkak të rezultateve të dobëta vendos shkarkimin e Medin Zhegës dhe vendin e tij e zë legjenda e Dinamos, Sulejman Demollari. Emërim që në atë kohë u prit me skepticizëm edhe për faktin që trajneri i diplomuar në Coverciano, nuk kishte eksperiencë të mëparshme në drejtimin e një ekipi. Edhe pse kombëtarja pësoi humbje përballë Finlandës dhe Anglisë, ndeshje të vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2002, problemet për Demollarin do të vinin më vonë.

Duhet të theksojmë se në atë periudhe ekipi ynë, merrte pjesë në kompeticione të çuditshme siç ishte Turneu i Kryeministrit të Bahrein !!!!, ku morën pjesë ekipe si Shqipëria, Maqedonia, Finlanda dhe Bahrain. Turne që rezultoi një dështim i vërtetë, ku në 3 ndeshje koleksionuam 2 barazime dhe një humbje poshtëruese 3-0 përballë vendasve.

Më 5 mars 2002, Asambleja e FSHF zgjedh Armand Dukën në krye të FSHF. Edhe pse Duka preferonte një trajner të huaj në krye të ekipit, vendosi të konfirmonte Demollari-n.

Futbolli shqiptar kishte filluar të ndryshonte, por kombëtarja jo. Kuqezinjtë udhëtuan deri në Dallas, për të organizuar një miqësore me Meksikën, e humbur me rezultatin 4-0. Demollari nuk e pa të arsyeshme të udhëtonte, ku në vendin e tij ekipin e drejtoi asistenti Mirel Josa. Edhe pse krisja e marrëdhënieve nisi që në këtë ndeshje, miqësorja me Andorrën do të rezultonte fatale.

Me humbjen 2-0 ndaj Andorrës, kombëtarja jonë shkroi faqen më të zezë të historisë së saj. Një kombëtare e shpërfytyruar i dha mundësinë vendit prej 77 mijë banorësh që të festonte një nga ngjarjet më të mëdha të asaj kohe, një fitore në arenën ndërkombëtare që mungonte prej kohësh.

Andorra e vogël, me madhësi dhe densitet banorësh sa një lagje e Tiranës, arriti të fitonte krejtësisht pastër, me nga një gol në çdo pjesë. Të nesërmen, Duka duke ushtruar pushtetin që i jep funksioni, shkarkoi Demollarin dhe tërë stafin e tij, si përgjegjës për këtë humbje të turpshme. Vendin e tij do ta zinte italiani Dossena.

Por pikërisht në atë periudhë, një djalosh i ri sapo kishte nisur karrierën me kombëtaren kuqezi. Quhej Ervin Bulku dhe aktivizohej me ekipin e Tiranës. Binte në sy për teknikën dhe dëshirën që të shkëlqente me ngjyrat kuqezi. Përkushtimi dhe dëshira bënë që të koleksiononte 56 ndeshje me Shqipërinë, duke u tërhequr në vitin 2014. Si për ironi të fatit 17 vjet më vonë, do të jetë përsëri Andorra debutimi i tij i parë, kësaj here në një tjetër drejtim, atë të trajnerit. Debutimi i parë i solli fat….

ANDORRA-SHQIPËRIA 2-0

Shënues: 1:0 (34′) Emiliano González (pen.), 2:0 (58′) Manolo Jiménez

ANDORRA: Koldo , Francisco Ramírez, Txema García (90′ Jordi Escura), Juli Fernández, Toni Lima, Ildefons Lima, Emiliano González (69′ Fernando Silva), Juli Sánchez (90′ Marc Pujol),Manolo Jiménez (61′ Roberto Jonás ) ,Justo Ruiz (89′ Agusti Pol), Óscar Sonejee. Trajner: David Rodrigo (Spanja)

SHQIPËRIA: Arjan Beqaj (46′ Blendi Nallbani), Altin Lala, Nevil Dede, Arjan Xhumba, Ervin Fakaj Besnik Hasi (80′ Elvin Beqiri), Edvin Murati, Redi Jupi ( 60′ Enkeleid Dobi), Klodian Duro ( 70′ Florian Myrtaj) ,Altin Rraklli (54′ Ervin Bulku), Igli Tare (59′ Indrit Fortuzi). Trajner: Sulejman Demollari

Mendrit Shehu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *