Shqipëria e ka nisur me humbje rrugëtimin për në “Euro2020”, pasi që në në ndeshjen e parë kualifikuese kundër Turqisë, janë mposhtur 2-0. Në “Loro Boriçi”, kuqezinjtë tanë bënë një start perfekt, duke qenë shumë të rrezikshëm. Në 20 minutat e para, krijuam raste të pastra për të shënuar, por Balaj dhe Balliu nuk u treguan të saktë para portierët.
Në minutën e 21’, Gjimshiti dhe Xhaka nuk merren vesh me njëri-tjetrin dhe Turqia ndëshkon. Jilmaz merr një pasim të mirë nga Tosun dhe godet menjëherë nga brenda zonës, duke kaluar në avantazh miqtë. Kombëtarja jonë u shokua për disa minuta, por sërish tentoi të reagonte dhe t’i afrohet portës.
Uzuni bëri shumë mirë dhe u shfaq dy herë para portës së Turqisë. Fillimisht, sulmuesi nuk kontrollon mirë një pasim perfekt nga Hysaj, ndërsa në rastin e dytë gjuan me të majtën, por pret portieri mik. Në pjesën e dytë, ritmi i tanëve ra ndjeshëm dhe Turqia ndëshkoi sërish.
Mesfushori i Milanit, Hakan Çalhanoglu shënon një supergol, duke marrë topin nga mesi i fushës dhe duke shënuar një gol shumë të bukur. Ky gol i preu gjunjët lojtarëve kuqezi, që nuk arritën më të reagonin dhe sfida u mbyll 0-2 në favor të Turqisë.
E premte, 22 mars 2019
Stadiumi “Loro Boriçi”, Shkodër
Shqipëri – Turqi 0-2
Jilmaz 21′, Çalhanoglu 54′
Shqipëria: Berisha, Balliu (Sadiku 58’), Hysaj, Veseli, Gjimshiti, Ismajli, Memushaj, Xhaka, Abrashi, Uzuni, Balaj (Grezda 58’) Trajner: Kristian Panuçi
Turqia: Gynok, Gonyl (Çelik 46’), Demiral, Ayhan, Kaldirim, Emre (Tokoz 65′), Jokushlu, Tekdemir, Çalhanoglu, Tosun, Jilmaz Trajner: Senol Gynesh
Kartonë të verdhë: Balliu 39’, Ismajli 45+2’ , Xhaka 86′ / Tosun 30’, Jokushlu 47′
EPISODET
90+’ Mbyllet sfida në “Loro Boriçi”, Shqipëria mposhtet nga Turqia
80’ Turqia qarkullon topin, minutat po kalojnë në favor të tyre
69’ Bie ritmi i lojës, Memushaj provon të ndryshojë diçka, por goditja e mesfushorit të Pesakarës shkon shumë larg kuadratit
54’ Shënon sërish Turqia. Çalhanoglu bën gjithçka vetë dhe shënon një supergol, duke mposhtur për herë të dytë Berishën
46’ Starton pjesa e dytë pa ndryshime, Panuçi i beson formacionit fillestar
45+4’ Mbyllet pjesa e parë. Dominim i Shqipërisë, por ndodhemi në disavantazh
37’ Sërish Uzuni shfaqet rrezikshëm. Sulmuesi kuqezi bën gjithçka mirë nga krahu i djahtë, futet në qendër dhe godet me të majtën, por pret portieri mik
33’ Tjetër rast i mirë për Shqipërinë. Hysaj jep një pasim perfekt nga krahu i djathtë, Uzuni është i lirë brenda zonës por nuk e kontrollon dot topin. Digjet një tjetër shans për tanët
21’ Gol Turqia. Gjimshiti dhe Xhaka humbasin një top të thjeshtë dhe Turqia na ndëshkon. Tosun pason për Jilmaz, i cili mposht Berishën nga një distancë relativisht e afërt
20’ Tjetër shans i artë për tanët. Balaj shërben mjaft mirë me kokë vrapimin e Balliut, i cili gjendet i vetëm përballë portierit, gjuan por ndalet. Portieri i Turqisë na mohon golin
14’ Rast ideal për Balajn. Sulmuesi kuqezi del i vetëm përballë portierit pas një aksioni perfekt dhe mundohet t’i afrohet portierit, duke e humbur momentin.
3’ Rasti i parë i takon kuqezinjve tanë. Xhaka kroson mirë nga një goditje dënimi, topi mbetet në zonën turke dhe Ismajli përfiton, duke goditur me kokë. Gjuatja e mbrojtësit shkon ngjitur me shtyllën e portës
1’ Fillon takimi në “Loro Boriçi”, atmosferë e zjarrtë në stadium