Prezenca e Filipe Kutinjos në “Camp Nou” ka kohë që është në dyshim. Braziliani nuk ka arritur ende të lërë shenjë në Barcelonë dhe kjo ka shqetësuar tifozët, klubin e sigurisht edhe vetë lojtarin. Ka shpërdoruar çdo mundësi që Valverde i ka dhënë, duke bërë paraqitje zhgënjyese ndeshje pas ndeshje.
Humbi duelin për krahun e djathtë me Dembele dhe është kthyer në një zgjedhje të dytë. Madje në ndeshjen e fundit ndaj skuadrës së Real Betis, trajneri preferoi skemën 4-4-2, pa Kutinjon në fushë. Gjithsesi Barcelona nuk do që ta humbasë këtë bast.
Sipas sport.es, katalanasit kanë vendosur që t’i japin “udhë” këtij problemi. Ndryshe nga ç’flitet në media, Kutinjo nuk është në shitje. Klubi ka shpenzuar më shumë se për çdo lojtar tjetër për ta blerë dhe largimi në këtë mënyrë nuk do ishte zgjidhja e përshtatshme.
Kutinjos do t’i jepen më shumë minuta në dispozicion muajin e ardhshëm. Pra, ish ylli i Liverpul do të ketë një mundësi të fundit për të treguar se meriton të jetë pjesë e një ekipi si Barça. Në rast se situata vazhdon të jetë e njëjta, blaugranët do ta diskutojnë seriozisht shitjen e tij, me një shifër që fillon nga 100 milionë eurot.