Antonio Konte dhe Çelsi janë gati për të nisur betejën mes tyre. Përplasjet mes palëve do të përfundojnë përpara një Gjykate, e nëse njëra palë nuk mbetet e kënaqur me vendimin, do të nevojitet Gjykata e Lartë.
Trajneri italian u shkarkua nga klubi anglez në korrik, periudhë nga e cila qëndron pushim. Në mes janë 9 milionë sterlinat që Çelsi i detyrohet Kontes, por “The Sun” flet për një shumë më të madhe.
49-vjeçari pretendon më shumë dhe kërkon dëmshpërblim me kartën që është pushuar në një periudhë të papërshtatshme. Konte dhe çdo trajner tjetër do e kishin të pamundur për të arritur një akord me një klub në mesin e verës, periudhë kur sezoni ndodhet në prag të nisjes dhe të gjithë janë gati.
Nga ana tjetër është Çelsi, që ka vendosur të “shpëtojë” falë Diego Kostës! Sulmuesi i Atletikos pati probleme të mëdha me Konten gjatë periudhës që ishte pjesë e “Bluve të Londrës”.
Hendeku mes tyre u bë i madh dhe klubi anglez është gati ta përdorë këtë opsion. Drejtuesit e cilësojnë sjelljen e trajnerit si shkelje të kontratës, që i ka sjellë dëme të mëdha Çelsit.
Ata mund ta shisnin sulmuesin për një shumë më të madhe, por problemet e bëra publike midis tij dhe Kontes bënë të mundur që shumë klube të mos investonin aq sa duhet për braziliano-spanjollin.