Dashuria mes “zonjës se vjetër” dhe Maks Alegrit duket se ka mbaruar. Pas asaj humbje 2-0 ndaj Atletikos së Madridit, drejtuesit e Juventusit nuk e shohin më të ardhmen e Alegrit në Torino.
Anjeli dhe Paratiçi po mendojnë për një zëvendësues dhe favoriti kryesor është Didier Deshamp. Trajneri që e çoi Francën në majën e Botës në vitin 2018 preferohet shumë nga drejtuesit, të cilët e shohin si të duhurin për të marrë drejtimin e stolit bardhezi.
Francezi është nga brezi i lojtarëve që i dhanë “Champions”-in e fundit italianëve në vitin 1996 dhe e njeh shumë mirë rëndësinë e të veshurit atë fanellë dhe atmosferën brenda klubit. Juventusi shpresonte për një emër si Zinedin Zidan, por i humbi shpresat pas kthimit të tij në Madrid.
Ky fakt ka bërë që drejtuesit nga Torino të hedhin sytë nga emra si Deshamp, por edhe Konte. Mediat italiane nuk e përjashtojnë një rikthim te “Zonja”.