Kualifikimi kundër Borusias së Dortmundit i ka bërë të ëndërrojnë tifozët e Totenhemit. Ekipi i tyre i zemrës është në çerekfinalet e kompeticionit më të rëndësishëm për klube, ndërsa objektivi në kampionat është ruajtja e vendit të tretë.
Drejtuesit po punojnë për të gjetur elementë cilësorë për përforcimin e ekipit për sezonin e ardhshëm. Shumë emra janë në listë, por në krye gjendet Federiko Kieza, i cili po shkëlqen me Fiorentinën. Siç raporton “The Sun”, 21-vjeçari i ekipit viola është i parapëlqyeri i trajnerit Poçetino.
Klubi italian kërkon 70 milionë stërlina për “yllin” e ekipit,për të cilin interesohen shumë klube të mëdha. Totenhemi është gati të nisë negociatat me shpresën për të transferuar në Londër një nga talentët më të mëdhenj të futbollit italian.